Projektet ndërlëndore në klasat III - IV - V - Albanet

Projektet ndërlëndore në klasat III – IV – V

Projekt ndërlëndor cikli i lartë
May 16, 2017

Projektet ndërlëndore në klasat III – IV – V

Projektet ndërlëndore në klasat III- IV- V u prezantuan sipas klasave me tema të përcaktuara më parë. Përzgjedhja e temave u bë sipas klasave për t’iu dhënë mundësi nxënësve, të thellojnë njohuritë, të hulumtojnë dhe të zbatojnë në mënyrë praktike njohuri mësimore, aftësi zbatuese dhe teknika të të mësuarit. Klasa IIIa prezantoi temën “Fshati”. Nxënësit grumbulluan informacion pasi vizituan një fermë në fshat, modeluan me plastelinë frutat, kafshët e buta , skicuan në makete fshatin, fusha të mbjella, të shoqëruara edhe me produkte nga fshati.

Klasa IIIb prezantoi temën “Komunikimi, të zgjidhim konfliktet nëpërmjet komunikimit”. Mblodhën informacion, zgjeruan njohuritë për komunikimin duke zhvilluar një bisedë me një person që nuk flet e nuk dëgjon, hulumtuan duke kërkuar më shumë, sollën një mesazh të bukur. Të dish të flasësh është çështje cilësie, e për këtë është i nevojshëm: shpirti, maturia, thjeshtësia, inteligjenca, gatishmëria dhe zëri.

Klasa e IVa me temën “Si të mësojmë” solli bukur në formën e një projekti teorik e praktik jo vetëm teknikat e mësimdhënies, por edhe një vizitë në Bashki ku nxënësit u njohën nga afër me punën në institucionin vendor të Tiranës. Teknikat u zbatuan në lëndët mësimore që zhvillohen.

Klasa e IVb me temën “Uji” pasi vizitoi liqenin, prezantoi rëndësinë e ujit, mënyrat e përdorimit të tij, punuan në grup dhe skicuan maketin ku treguan përdorimin e ujit në një hidrocentral.

Klasat e Va dhe Vb me temën ” Kultura dhe tradita” prezantuan traditat e tre trevave të Shqipërisë, me këngë, valle, kostume popullore, skica e makete të ndërtesave karakteristike, gatime, minidramatizime me mikpritjen, zakonet, dasmat. Me to dhanë mesazhin, jo vetëm mos t’i harrojmë por t’i ruajmë traditat si shenjë e identitetit tonë kombëtar.