Projekt ndërlëndor cikli i lartë - Albanet
Projektet ndërlëndore në klasat III – IV – V
May 16, 2017
Mësojmë përmes projekteve
May 16, 2017

Projekt ndërlëndor cikli i lartë

Nxënësit dhe moderatorët e grupeve treguan përgjegjshmëri të lartë, impenjim, fantazi dhe aftësi të shumfishta për të realizuar synimet dhe mesazhet e temave përkatëse.

Nxënësit prezantuan jo vetëm njohuri dhe formim akademik por edhe mision qytetar për t’u vetë ndërgjegjësuar dhe njëkohësisht për të sensibilizuar të pranishmit brenda apo jashtë shkollës mbi mesazhet pozitive që përcollën.

Produktet e krijuara ishin të larmishme dhe sollën edhe risi në raport me projektet paraardhëse.

Mjaft interesante dhe me vlera informuese dhe formuese ishte trajtimi i teknikave të të mësuarit dhe të shkruarit ku nxënësit si ekspertë të mësimdhënies dhe metodistë të kualifikuar i sollën këto teknika në rrugë shumë atraktive, estetike dhe dinamike. Të tilla ishin posterat orientues dhe shpjegues, materiale didaktikë të projektuara dhe ndërtuar nga vete nxënësit, makete mësimore, si edhe modele të shkrimit të eseve si një eksperiencë krejt e re dhe si një përgjigje e kerkesave cilësore që shtron shkollimi i mëtejshëm dhe prezantimi i formimit të rinjve edhe me ese.

Temë sensitive për vetë grupin prezantues , masën e nxënësve dhe dëgjuesve ishte tema e grupit 1 mbi sfidat e adoleshentëve në shekullin XXI. Anëtarët e grupit duke e reduktuar fushën e gjërë të sfidave rinore tek ato që janë më pranë moshës së tyre , i bën një zbërthim mjaft profesional teorik, teknologjik, dramatik dhe artistik problemeve duke e shoqëruar cdo etapë të trajtimit jo vetëm me identifikimin e sfidës por edhe me dhënien e zgjidhjeve konkrete të cilat zgjidhje buronin nga vetë këndvështrimi i adoleshentëve. Mjaft interesante ishte mbyllja që ky grup i bëri prezantimit të tij duke luajtur “cup song” si një transmetim mesazhi që moren këta adoleshentë nga rinia e Tiranës që hyri në Gines, se ne adoleshentët : “Do tw qëndrojmë dhe ndërtojmë Shqipërinë duke kapërcyer cdo sfidë”.

Mjaft i vecantë ishte prezantimi i grupit që projektoi të ardhmen e Tiranës duke ndërtuar maket mbi urbanizimin perspektiv të Tiranës si edhe një maket mbi një park lojrash në Tiranën e të ardhmes. Projektuesit e vegjël treguan ide të qarta mbi vizionin se si ata e duan qytetin e tyre të së ardhmes duke i bërë sfidë realitetit të sotëm kaotik .

Grupi që trajtoi temën Etika dhe komunikimi solli veprimtari konkrete praktike duke u vendosur dhe vepruar në situata konkrete të sjelljes në mjedise alternative, të komunikimit verbal dhe sjelljes dhe mardhënieve sociale.Loja e rolit ishte një element komplementar dhe shpjegues i mesazheve që sollën nxënësit në këtë tematikë.

Trajtimi i temës mbi artin dhe sportin nxori në pah jo vetëm talente të këngës, pikturës dhe sporteve por u trajtuan këto fusha si veprimtari që nxisin përqëndrimin apo relaksin gjatë procesit të shkollimit përpos faktit që nxënësit e shohin edhe si pasurim shpirtëror dhe fizik dhe si një mundësi më shumë për t’u afruar edhe me botën e zhvilluar.

Të gjitha grupet treguan nivel të lartë të prezantimit nëpërmjet aftësive teknologjike duke operuar edhe me programe të avancuara të prezantimit si Prezi përvec power point ose Movie Maker.

Dramatizimet ishin një dukuri e përgjithëshme e prezantimit të të gjithë grupeve duke i dhënë larmi dhe art prezantimit por edhe duke i përfshirë nxënësit në këtë fushë ku dikur kishin patur edhe frenime emocionale.

Nivel shumë i lartë prezantimi u vu re kur nxënësit komentonin prezantimet teknologjike jo në mënyrë mekanike por duke shprehur një mendim, fjalor dhe formim shumë të pasur e të zhvilluar.

Krijimi dhe interpretimi i posterave shumë artistikë , mjaft cilësorë dhe domethënëse për temën, ndonëse nuk ishte një dukuri e re, cilësia e komentimit të tyre ishte shumë e lartë.

Në këtë veprimtari mësimore cdo nxënës ishte një cilësi më vete por midis tyre spikatën disa të cilët ishin më dinamikë dhe dhe pjesmarës dhe bashkëpunues në grup si Dejvi Agaraj, Arbi Ngjelina, Fatjon Valteri, Tesi Vasili, Dea Hoxha, Ersi Cullhaj, Jason Vasha, Endri Haxhi, Era Mane, Laura Bejko, Erma Mici, Drini Dalipaj etj.