Shkolla 9 Vjecare Albanet | Tirane

Programi mësimor

Programi mësimor

Prindërit dhe të gjithë ata që janë të interesuar të dinë më shumë për shkollën

9–vjeçare jo publike “Albanët”, në këtë material do të njihen me:

 

    – Njohuri mbi programin mësimor dhe edukativ të shkollës 9–vjeçare jopublike

     ”Albanët” për vitin shkollor 2013 – 2014.

     - Kohëzgjatja dhe shërbimet.

 

Shkolla 9 – vjeçare jopublike “Albanët” këtë vit mësimor hyn në vitin e 8-të të

veprimtarisë së saj. Gjatë këtyre viteve falë një investimi serioz nga pronari i

shkollës si dhe puna cilësore nga stafi mësimdhënës, kjo shkollë po arrin të forcojë

çdo vit profilin e saj si një institucion jopublik model në proçesin e mësimdhënies

dhe atë edukativ.

Synimet e këtij  institucioni  për këtë vit mësimor janë:

1. Të realizojmë në gjerësi dhe thellësi proçesin mësimor ku  nxënësit të ndërtojnë

 njohuri të qëndrueshme teorike dhe aftësi praktike, për tu bërë të 

suksesshëm në mjedisin ku synojnë të realizohen.

2. T’i edukojmë nëpërmjet veprimtarive të shumëllojshme sociale, artistike e sportive,

duke zbuluar vlerat e gjithsecilit e duke i çuar ato më tej.

Programi bazë është programi shtetëror shqiptar, i cili zhvillohet nga mësues të përgatitur dhe trajnuar me metodat e reja të mësimdhënies, në një mjedis bashkëkohor didaktik.

E veçanta e shkollës sonë është puna individuale me nxënësit për përvetësimin në thellësi të programit dhe stimulimi moral dhe material i tyre për të nxjerrë më të mirën nga vetja,duke tejkaluar çdo boshllëk apo vështirësi.

Futja e sistemit të bursës për nxënës me arritje të shkëlqyera në ciklin e lartë është pjesë e rëndësishme e motivimit për cilësi. Gjithashtu stimulimet me 1 – 2 muaj falas për nxënës fitues të projekteve rrisin interesin tek prindërit dhe nxënësit për t’u përfshirë seriozisht në këto projekte me rezultate përfundimisht të kënaqshme për ne, prindërit dhe ata vetë. Një element i ri është puna me projekte, e cila përfshin një pjesë të rëndësishme të programeve shkollore. Tek ne këtë vit projektet do të zënë më shumë vend në të gjitha lëndët,pasi ato janë mjete të rëndësishme që formojnë dhe edukojnë tek nxënësit punën në grup,rolin e liderit, etikën, krijimin, analizën dhe sintezën si format më të larta të të menduarit.Gjithashtu puna me projekte nxit frymën e bashkëpunimit dhe bashkëveprimit në grup.

Në këtë kuadër 2 javë në vit, përkatësisht në muajt nëntor dhe maj, procesi mësimor i bazuar në tema të rëndësishme dhe i ndihmuar nga orët e lira do të organizohet me projekte lëndore dhe ndërlëndore, brenda dhe jashtë shkollës. Temat e lira të projekteve do të sugjerohen në numër të konsiderueshëm nga mësuesit, por pjesëmarrja në secilën prej tyre do t’u lihet vetë nxënësit, në bazë edhe të prirjeve dhe të interesave të tyre.

Edhe këtë vit shkollor do të bëjmë kujdes në ballafaqimin e vlerësimin me shkrim dhe me gojë, në mënyrë që nota të jetë element i sigurtë, e cila tregon nivelin real të njohurive të nxënësve. Fakti që rezultatet e nxënësve tanë, të cilët për arsye familjare janë largua nga shkolla jonë drejt shkollave shtetërore kanë qënë në të njëjtin nivel ose më lartë dhe në asnjë rast më ulët, sesa vlerësimi në shkollën ku kanë shkuar, tregon se fiktiviteti në shkollën tonë është zero ose shumë pranë zeros.

Për herë të parë shkolla do t’i nënshtrohet një vlerësimi të jashtëm në fund semestër dhe fund vit. Specialistët më të mirë të lëndëve dhe njohësit më të mirë të programeve do të hartojnë teste, të cilat nxënësit do t’i zhvillojnë në shkollë. Korrigjimi dhe vlerësimi i testeve do të bëhet nga vlerësues të jashtëm.

Gjatë 3 viteve të fundit i kemi dhënë rëndësi të veçantë përgatitjes së nxënësve të klasës së 9-të për provimet e lirimit në lëndët gjuhë shqipe dhe matematikë Pas një përsëritje 1 vjecare, ku klasat ndaheshin në 2 grupe sipas niveleve të përvetësimit të njohurive, rezultatet nga provimet e lirimit kanë qënë shumë të mira, të njëjta ose më të larta se vlerësimet e nxënësve në shkollën ‘Albanët’.

Këto ishin disa nga format dhe metodat e punës, që do të bëjnë realizimin sa më të mirë të programit shtetëror shqiptar, i cili përbën dhe themelin e punës në shkollë.

Por synimet tona si institucion jopublik nuk mbarojnë këtu…

Nxënësit tanë do të zhvillojnë edhe orë të tjera mësimore shtesë, në drejtim të realizimit të prioriteteve të shkollës që janë:

- Përvetësimi në një nivel të lartë i gjuhëve të huaja.

- Pajisja me njohuri teorike dhe aftësi praktike të teknologjisë së informacionit.

 

Teknologjia e informacionit.

Mësimi i kompjuterit fillon nga klasa I – IX me 2 orë në javë. Në fund të ciklit 9 – vjeçar nxënësit do të zotërojnë plotësisht programet bazë Typing – Windows – Word – Excel – Power Point si dhe njohuri të përgjithshme të programeve speficike si Autocad, Photoshop etj.

Këto ishin disa nga linjat kryesore mbi të cilat do të zhvillohet programi mësimor për vitin e ri shkollor.

Por procesi mësimor nuk është i ndarë nga procesi edukativ. Mësimi dhe edukimi janë të ndërthurura dhe njohuritë e sakta shkencore nuk do të kishin vlerë pa krijuar njëkohësisht tek fëmijët një bazë të shëndoshë të formimit qytetar, bazë e cila i vë këto dije në shërbim më të mirë të individit dhe shoqërisë.

Cikli 9 – vjeçar nuk përgatit shkencëtarë, por mëson dhe edukon nxënës me njohuri teorike dhe shprehi praktike që t’i bëjë të aftë të përballojnë ndryshimet e shpejta të mjediseve sociale, ekonomike dhe natyrore, që ndodhin sot, kudo në botë. Në këtë program, procesi i mësimit dhe edukimit janë veçuar, për të kuptuar më lehtë synimet dhe veprimtaritë në realizimin e tyre.

Këtë vit shkollor shkolla ‘Albanët’ do të vazhdojë të zhvillojë projektet e nisura vitin e kaluar duke i përmirësuar ato dhe do të prezantojë disa veprimtari të reja.

Revista ‘Albanët’ ka startuar me krijimin e shkollës dhe tashmë është bërë pjesë e rëndësishme e arritjeve, problemeve dhe prezantimit të punës së saj në mjediset brenda dhe jashtë shkollës. Redaksia e revistës ka tashmë përvojën dhe aftësinë për të përballuar ideimin e revistës, shkrimin e rubrikave dhe deri faqosjen e saj, e cila bëhet nga nxënësit e klasave të larta zotërues të programeve më të avancuara të TIK-ut.

Më poshtë po rendisim disa nga veprimtaritë që do të zhvillohen për vitin shkollor 2011 – 2012.

- Projekte kurikulare dhe ekstrakurikulare në të gjitha lëndët.

- Projekti ‘Albanët lexojnë’.

- Forume mujore: ‘Unë mendoj’, me tema sociale, ekonomike, artistike dhe letrare.

- Orë pune ose ndihmë për komunitetin.

- Veprimtari artistike.

- Veprimtari sportive.

Të gjitha këto dhe shumë të tjera që nuk janë bërë me dije në këtë paraqitje do të edukojnë dhe argëtojnë nxënësit, duke mbushur kohën brenda dhe jashtë orarit mësimor dhe duke lënë gjurmë të rëndësishme për të ardhmen.

Të dashur prindër!

Motoja e shkollës sonë është

‘Të gjithë jemi të veçantë dhe mbartim vlera’. Ejani t’i zbulojmë së bashku.

Në mbështetje të kësaj motoje do të evidentohen prirjet e nxënësve dhe për t’i çuar ato më tej.

Ditën e premte nga ora 1300– 1530, do të zhvillohen kurse ose veprimtari në fusha si krijim –gazete, pikturë, kërcim, aktrim, volejboll, basketboll ose futboll, të alternuara sipas grupmoshave.

Gjithashtu 1 e shtunë në muaj do të jetë e shtuna sportive, ku do të organizohen ndeshje midis klasave ose stërvitje të ekipeve të ngritura këtë vit shkollor.

Me programin ambicioz të hartuar, me stafin e mrekullueshëm, me investime shtesë dhe pa dyshim me mbështetjen dhe përkrahjen tuaj dhe të nxënësve, ne do të arrijmë të kemi rezultate të shkëlqyera, duke bërë përfundimisht diferencën me çdo institucion tjetër jopublik.