Historiku

Historiku i shkollës “Albanët”

Shkolla “Albanët” ka nisur veprimtarinë e saj në shtator 2006, si vazhdimësi e suksesit të arritur prej vitesh të kopshtit “Iliria” (shtator 1998 – 2006). Arritjet në  kopshtin “Iliria” bënë të mundur zgjerimin e studimeve me ciklin e ulët duke krijuar shkollën “Albanët”, e cila  u liçensua nga MASH si shkollë jopublike e ciklit të ulët me urdhër Nr.91, dt.26.03.2006.

Në vitin 2006 – 2007, kjo shkollë e filloi veprimtarinë me 50 nxënës.Programi mësimor që u zbatua ishte i miratuar prej MASH – it.

Rezultatet pozitive të ciklit të ulët dhe kërkesat në rritje të komunitetit bënë të mundur zgjerimin e veprimtarisë së kësaj shkolle edhe me ciklin 9 – vjeçar,cikël i cili  u liçensua nga MASH me urdhër Nr. 269, dt. 13.06.2008. 

Viti akademik 2007 – 2008 filloi me 90 nxënës. Tashmë programit shtetëror iu shtua programi shtesë i gjuhës së huaj angleze i filluar që nga klasa e parë dhe gjuhës  së dytë të huaj, i filluar nga klasa e pestë, një zgjedhje kjo midis gjuhëve frënge dhe italiane.

Mjediset në të cilat punohej ishin mjedise të ngrohta dhe miqësore për nxënësit dhe mësuesit. Komunikimi mësues – nxënës –  prindër, u dha jetë shumë projekteve frytdhënëse, ku nxënësit prezantuan idetë e tyre krijuese. Gjatë këtij viti mësimor dhe në vitet në vazhdim   nxënësit u motivuan për rezultatet e tyre me bursa, tituj dhe çertifikata nderi .

Rezultatet e provimeve të lirimit të zhvilluara në vitet akademike 2008 – 2009, 2009 – 2010, 2010 – 2011 dhe 2011-2012 reflektuan të njëjtin rezultat pozitiv të paraqitur edhe në përfundimet vjetore.

Ish nxënësit tanë, si pasojë e dijeve të qëndrueshme të marra në shkollën tonë, vazhdojnë të jenë nxënësit më të spikatur në shkollat e mesme publike dhe jopublike të Tiranës, madje duke u bërë  pjesë e rëndësishme  e strukturave  organizative të tyre.

Stafi pedagogjik i kësaj shkolle, sot paraqitet pothuajse 80% me kulturë dygjuhëshe, 100% njohës të programeve bazë të kompjuterit, 100% i kualifikuar me metodat bashkëkohore të mësimdhënies (nga qendra e trajnimit CDE) dhe një pjesë i kualifikuar me master në arsim e drejtimin e shkollës.  

Shkolla është rritur numerikisht dhe sot ajo numëron rreth 200 nxënës.

Ky zhvillim i këtij institucioni që po kthehet në revolucion të vërtetë në fushën e arsimit praktikon sot edhe tabelat interaktive “Smart Boord”,komunikimin online me prindërit për rezultatet shkollore si dhe  Mësimin e Bazuar në Projekte.

Në vazhdimësi të kësaj rruge, për të zhvilluar një instuticion arsimor lider në fushën e arsimit dhe nën drejtimin profesional të personaliteteve në këtë fushë, kjo shkollë sot është shumë pranë zgjerimit të nivelit arsimor edhe në ciklin e mesëm të lartë, që do të bëjë të mundur edhe zgjerimin me mjedise, duke zhvilluar kështu vetëm fillimin e një historie, me emrin e madh të “Albanëve”.